Çfarë duhet të shmangni për të mbajtur pas vetes partnerin tuaj

Thjeshtësia dhe eleganca janë armë tepër të fuqishme për të bërë për vete një mashkull! Ndaj femrave u sugjerohet që të mos trukohen dhe të parfumosen shumë! Për më tepër, lexoni këshillat e mëposhtme


Të qëndroni bashkë me të
Nëse djali që keni “zënë” ju pëlqen vërtet dhe dëshironi që ta mbani “fort”, atëherë ju keni nevojë që të zbatoni një “strategji” veprimi. Më poshtë do të gjeni një listë të gabimeve më të zakonshme që ne femrat bëjmë gjatë rutinës sonë të bukurisë; ndonjëherë bëhet fjalë për detaje të vogla që, gjithsesi, mund të shkaktojnë një humbje interesi nga partneri i mundshëm.
Shumë parfum
Përpara se një djalë t’ju afrohet, parfumi juaj arrin më parë te hunda e tij. Një spërkatje e lehtë do të ishte shumë mirë, por nëse përpara se të dilni nga shtëpia hidhni pothuajse të gjithë shishen e parfumit të blerë një ditë më parë, atëherë rrezikoni që askush të mos ju afrohet.
Shumë laps sysh
Një gjë është të keni një pamje shik dhe të sofistikuar dhe tjetër gjë është ta ekzagjeroni deri në atë masë saqë duket sikur ju kanë goditur me grushte nga sytë. Nëse një djalë është i interesuar për ju, ai do që të humbasë në sytë tuaj dhe jo të mendojë se po zhytet në një “vrimë” të zezë. Ndaj sytë trukojini lehtë dhe me elegancë.
Pudra
Duket se ne femrave nuk na mjafton kurrë, por nëse aplikohet mirë mund të bëjmë vërtet një figurë të bukur gjatë një mbrëmjeje. Shpesh ngjyra e fondontinës (pudrës) nuk është ajo e përshtatshmja. Mos bëni gabim që të përdorni një tepër të errët ose shumë të bardhë, sepse nuk ka asgjë më të keqe sesa ndryshimi i ngjyrës së fytyrës nga ajo e qafës. Madje edhe djemtë që nuk janë ekspertë të fondontinës, do ta vinin re menjëherë këtë ndryshim!
Flokët
Një stil voluminoz dhe origjinal tërheq medoemos vëmendjen e djemve. Por, gjithsesi, sigurohuni që kjo lloj tërheqje vëmendjeje të jetë pozitive dhe jo thjesht një kuriozitet për ta provuar. Mos e ekzagjeroni me llakun dhe produktet e tjera spraj, sepse nëse ai dëshiron t’ju përkëdhelë nga flokët ka shumë mundësi që gishtat t’i ngecin nëpër flokët tuaj. Përdorni një produkt të lehtë, që do t’jua mbajë flokët të fortë, por në të njëjtën kohë edhe të shkëlqyeshëm, të butë e sensualë.
Kujdes! Për të joshur duhet zgjuarsi
Një studim ka konfirmuar se për të tërhequr një mashkull, më shumë sesa veshja dhe pamja e fytyrës, vlen personaliteti dhe ndjenja e humorit. Bukuria nuk është gjithçka: në fund të fundit, të dyja gjinitë, si ajo mashkullore edhe femërore, tërhiqen më shumë nga zgjuarsia dhe bukuria e shpirtit sesa nga pamja fizike. Sensi i humorit, shijet muzikore dhe personaliteti në përgjithësi janë shumë më të rëndësishme për të nxitur flakën e dëshirës. Këtë e konfirmon edhe një studim i kohëve të fundit, i kryer nga Lynx. Pjesëmarrësit në studim deklaruan se gruaja e ëndrrave duhej të ishte e zgjuar, t’i pëlqente muzika dhe kinemaja (31% dhe 28%), si dhe të ishte e pasionuar pas udhëtimeve (32% e më shumë). Natyrisht që e njëjta gjë vlen edhe për gratë; vetëm 14% e meshkujve e konsiderojnë të rëndësishme pamjen. Të dhëna që nuk duken kaq pa vlerë nëse shfletohen revistat e modës dhe ndizet televizori, ku sfilojnë pa mbarim bukuri të pakapshme, të cilave nuk u kërkohet të shprehen në mënyrë tjetër veçse duke bërë garë se cila ka fustanin më të bukur: shpesh modelet e imponuara nga shoqëria jonë mund të kenë pasoja të mëdha mbi ndjeshmërinë e vajzave, sidomos mbi adoleshentet. Prandaj, është e rëndësishme të përsëriten se cilat janë gjërat që janë vërtet me rëndësi për t’u shoqëruar me të tjerët, duke u dhënë më shumë përparësi interesave dhe mendimeve sesa pamjes së jashtme. Sigurisht, kjo nuk do të thotë që ju të mos kujdeseni për pamjen tuaj, edhe pse ky është një zakon i këndshëm dhe i shëndetshëm, në qoftë se kryhet pa stres dhe presion nga jashtë: një mënyrë e shëndetshme jetese, me një dietë të ekuilibruar dhe ushtrime të rregullta fizike është kura më e mirë e bukurisë dhe nuk ka të bëjë me gjërat sipërfaqësore.