Lidhjet jashtëmartesore


Vite e vite pas bashkëshortit të një gruaje tjetër, ndoshta edhe me fëmijë. Vite të kaluara duke pritur që të mbajë premtimin se do të lërë bashkëshorten, të cilën thotë se nuk e do më. Histori femrash që e jetojnë dhe e vuajnë këtë fenomen
“Gruaja me pushime… ndërsa e dashura në qytet”. Kështu titullohej një komedi e viteve ‘80, që tregonte historinë e një gruaje të dashuruar, e cila arriti të ndante nga familja burrin me të cilin jetonte dhe më pas të martohej me të. Në jetën reale janë të rralla rastet që përfundojnë kështu, sepse meshkujt e kanë shumë të vështirë të gjejnë guximin për të braktisur folenë e tyre, edhe pse thonë që nuk janë më të dashuruar me gruan të cilën kanë zgjedhur për të jetuar. Historitë e lidhjeve jashtëmartesore ngjasojnë me njëra-tjetrën: femrat presin vite të tëra që burri të marrë vendimin e thënë shumë herë. Ja disa histori të ngjashme.
Një jetë në pritje të tij…
Kejti: “Unë jam e dashura e një burri shumë të ëmbël, i cili jeton larg familjes për shkak të punës. Ai më ka thënë se ka një grua depresive (është i martuar prej 15 vjetësh). Gjithmonë është betuar se më parë ka pasur vetëm lidhje të shkurtra kalimtare, prandaj edhe historia jonë ka zgjatur katër vjet. Më vjen keq për gruan e tij, sepse nuk e do vërtet këtë njeri, i nevojiten vetëm paratë dhe fakti që është bashkëshortja e këtij personi. Të tjerat nuk i interesojnë. Për këtë arsye jam e qetë, nuk ndihem në faj. Ajo e di që i shoqi ka një tjetër. Dikush thotë që e dashura merr më të mirën, ndërsa bashkëshortja është thjesht shërbyese. Nuk është e vërtetë në rastin tim, sepse i gatuaj, i laj rrobat, e dëgjoj atëherë kur ka një problem, duke qenë se ai është gjithnjë i ikur nga shtëpia (madje edhe pazarin e bëj vetë). Jo të gjitha femrat veprojnë kështu. Unë e dua dhe kur kthehet në shtëpi, më merr shumë malli, pavarësisht se flasim gjatë gjithë ditës në telefon”.
E lodhur duke qenë e dyta
Luçia: “Jam e dashura e një burri të divorcuar, por që ka lidhje me një vajzë të re. Ajo është punonjëse sociale dhe e ndihmoi atëherë kur ai ishte në krizë. Në fillim u magjeps pas saj, pastaj më kërkoi ndihmë mua për ta hequr qafe dhe unë e ndihmova. Tani ai ka arritur sërish stabilitetin me të dashurën e re, ndërkohë që paralelisht vazhdon edhe lidhja jonë. Edhe pse kanë kaluar pesë vjet, e kam shumë të vështirë të qëndroj me të, por e dua shumë. Jam e vendosur, do ta lë! Në fund të fundit ai ka gjithçka, ndërsa unë jo”.
E zhgënjyer
Një anonime: “Prej 11 vjetësh, jam e dashura e një burri, i cili ka pesë vjet që është martuar. Gruaja e tij e di, kështu të paktën besoj, sepse më ka parë. Unë mësova që ai është i martuar vetëm para një viti. Nuk besoj se është martuar për dashuri, megjithatë bashkëshortja e tij është një tjetër dhe jo unë. Ai nuk qëndron kurrë në shtëpi, ne shihemi çdo ditë, ndërsa në fundjavë kur nuk shihemi, flasim në telefon. Më duket vetja budallaqe, sepse kur zbulova martesën e tij, nuk hezitova për ta vënë në dijeni të shoqen, edhe pse përgjigjja e saj ishte kjo: ‘Ç’mund të të them unë?’. Nuk kanë fëmijë. Sot më shumë se kurrë jam e bindur që nuk dua të martohem, sepse të gjithë meshkujt gënjejnë, jo neve, por veten e tyre”.
Nina: “Kam një vit e gjysmë që bëj rolin e dashnores. Është e rëndë ta pranoj, por kjo është e vërteta, edhe pse më vret ta them. Nuk e mohoj që jam shumë e zhgënjyer dhe e dashuruar në të njëjtën kohë. Guximi për t’i dhënë fund një martese, korrektësia, sinqeriteti dhe koherenca nuk bëjnë pjesë në këtë botë. E di, jam budallaqe, por këta njerëz nuk e ndiejnë dhimbjen time për t’i shpëtuar një realiteti të hidhur dhe mbytës. Shumë premtime, fjalë pa fund, pastaj asgjë nga frika se mos zbulohesh. Çfarë zhgënjimi, sa hipokrizi dhe fjalë që i ka marrë era”.
Klelia: “Ju kuptoj, sepse edhe unë kam rënë në kurthin e një burri që më kërkoi ndihmë të ndahej nga shoqja e tij. Unë isha e martuar, u ndava për të, ndërsa ai vazhdon të shijojë i lumtur historinë e tij”.
Marita: “Edhe unë si parafolëset, kam pasur të njëjtin fat, vetëm se nuk arrita të ndahesha nga burri. Po vuaj shumë, sepse iu përkushtova me mish e me shpirt asaj lidhjeje, ndërsa ai jo (këtë gjë e kam zbuluar prej pak kohësh). Përveç meje kishte një tjetër dhe bashkëshorten gjithashtu. Më thoshte se nuk më donte sa për të kaluar kohën. Vërtet ka njerëz kaq meskinë në këtë botë?!”.
Të dashurat e kanë inatin me bashkëshortet
Anja: “Jam një vajzë 21-vjeçare dhe për një muaj kam qenë e dashura e një 40-vjeçari, i martuar dhe me dy fëmijë. Ai ankohej gjithmonë për gruan, e cila vetëm bërtiste, flinte dhe nuk i përmbushte kurrë detyrimet si bashkëshorte. Edhe pse ai e ngacmonte gjithmonë, i bënte qejfin duke i blerë dhurata të shoqes (vazhdon ta dojë, sepse ma ka thënë këtë gjë), ajo nuk kënaqej kurrë. Një 40-vjeçar nuk duhet lënë pas dore nga e shoqja, sidomos kur ai e sheh ende si një grua të bukur dhe përpiqet ta joshë. E tregoj këtë histori, sepse dua t’u them atyre që të mos ankohen. E kanë vetë fajin! Ç’mund të prisni kur nuk dini të mbani një burrë?”.
Hakmarrja
Mariana: “Në moshën 19-vjeçare u dashurova me një djalë 25 vjeç, i cili ishte i martuar prej tri vitesh dhe nuk kishte fëmijë. Unë isha e re, pa angazhime dhe e shijoja jetën ashtu si më vinte. Ai më bëri për vete dhe patëm një lidhje 5-vjeçare. Me të shoqen (që unë e njihja) nuk bënte dot fëmijë. Një vit më vonë, mbeta shtatzënë, por duke qenë se ai nuk e donte fëmijën, e ndërpreva shtatzëninë. Që nga ajo kohë vendosa të ndryshoja jetesë. Dilja, udhëtoja dhe kisha shumë histori, pavarësisht se vazhdonim të takoheshim. Ai më premtonte të pamundurën, por nuk guxonte të ndahej nga e shoqja. Isha e dashuruar pas tij, edhe pse jetoja jetën time. Një ditë takova një djalë me të cilin rashë vërtetë në dashuri dhe hoqa dorë nga të qenit dashnore. Pas një viti u martuam dhe ndërkohë mora vesh që edhe ai ishte ndarë nga e shoqja, për t’u lidhur me një tjetër. Historia e tyre zgjati vetëm pesë vjet, pastaj u nda sërish. Tani, pas 25 vjetësh thotë që është i lumtur, por nuk e besoj. I ka të gjitha gënjeshtra, sepse në këtë mënyrë është mësuar ta jetojë jetën. Më dhimbset i gjori”.

Tetova News

Popular posts from this blog

Seksi: Kohëzgjatja ideale, 13 minuta

Mëngjesi pas herës së parë

Lidhjet në largësi: anët pozitive dhe negative