Kur nuk është koha për të thënë “Të dua”

Nëse jeni lloji i personit që nuk mund të qëndrojë vetëm dhe që kalon prej një lidhje në tjetrën vetëm për t’u ndjerë të plotësuar, shanset janë të mëdha që ta shprehni shumë herë dashurinë.

Para se t’i thoni personit “të dua”, mendoni mirë, nëse keni arritur në fakt aq larg në lidhje dhe çfarë prisni prej saj. Herët ose vonë do të duhet të arrini në momentin kur do të konstatoni se ka ardhur koha që për një kohë të qëndroni vetëm dhe të prisni dikë që do ta dashuroni me të vërtetë.

Heshtja
Është moment i pakëndshëm kur i thoni partnerit ose partneres se e doni, ndërsa në anën tjetër nuk dëgjohet asgjë, përveç heshtjes. Një hap i tillë mund të ju kthejë prapa. Njëra anë do të jetë e zemëruar, ndërsa tjetra e hutuar. Ndoshta nganjëherë është më mirë që të mendoni dhe të lini të kalojë një kohë para vendimit përfundimtar. Por, nëse me të vërtetë jeni të sigurt se bëhet fjalë për mashkullin ose femrën e jetës suaj, atëherë ia vlen të rrezikohet.

Faza e hershme
Në situata të tilla krijohet shumë lehtë hutimi. Nëse keni ndjenja intensive në fazën e hershme dhe vendosni t’i thoni personit se e doni, ai do të mund të mendojë se e thoni një gjë të tillë vetëm për ta bërë që të ndihet mirë. Pyeteni veten se sa mirë njiheni. Në fillim të lidhjes çiftet shpesh janë si të verbër dhe nuk i shohin të gjitha karakteristikat e partnerit.
A dini mjaftueshëm për lidhjet nga e kaluara dhe çfarë ndikimi kanë lënë ato në personin dhe çfarë ai do nga jeta? Para se të thoni “të dua”, mendoni mirë se a e njihni me të vërtetë atë person, apo vetëm e keni një mendim të caktuar për të. Pasiguria gjithashtu mund ta shtyjë një person që të gabojë. Nganjëherë njerëzit mendojnë se duke e shprehur dashurinë do ta lidhin personin për vete dhe do ta largojnë tërë konkurrencën eventuale.

“Të dua” mund edhe të ofendojë
Nëse i thoni tepër herët fjalët magjike, partneri edhe mund të zemërohet, sepse është ende në fazë që ta pyesë veten se a dëshiron të ketë një lidhje serioze me ju. Kur ta keni thënë një gjë aq të rëndësishme dhe serioze nuk mund të ktheheni prapa dhe mbetet heshtja e pakëndshme ndërmjet njerëzve nëse personi tjetër nuk e thotë të njëjtën gjë, ndoshta edhe mendon që lidhja ka potencial dhe do të mund të arrinit deri te ajo pikë, por ende nuk është i gatshëm për atë hap dhe e ndjen presionin që duhet të reagojë sa më shpejt. Në situata të tillë më së shpeshti ndodhin ndarjet, sepse ana tjetër nuk dëshiron të ketë punë me presionin dhe pritjet për të cilat nuk është e gatshme. Nëse jeni të gatshëm për një rrezikim të tillë dhe me të vërtetë mendoni se duhet thënë të dashurit ose të dashurës se e doni, këtë gjë dëshmojeni më parë me vepra. Në vend se të shprehni me fjalë ndjenjat tuaja, përgatitni disa befasi romantike. Më pas analizojini reagimet, sepse prej tyre mund të konstatoni se a është edhe ana tjetër duke menduar në të njëjtën mënyrë për ju.

Lotët e grave? Anti-eros…
Lotët e grave? Një faktor i fuqishëm anti-eros që ul nivelin e testosteronit, hormonit epshndjellës tek meshkujt. Këtë gjë duhet ta dinë të gjitha femrat, në mënyrë që ato të përpiqen t’i fshehin lotët para partnerëve të tyre. E kjo, pasi, ndërsa ato qajnë, atyre u largohet dëshira për to. Ky është, në fakt, përfundimi i një studimi të kryer nga ekspertë të Institutit izraelit Veizmann të shkencës në Rehovot, botuar në revistën “Science”. Sipas tyre, lotët e një femre përbëjnë një element që mund të ftohë menjëherë epshet e mashkullit, duke u bazuar në faktin shkencor se të tillë lot ndikojnë automatikisht në uljen e nivelit të testosteronit në partnerët e tyre.