Testojeni partnerin

Pikat më të ndjeshme në martesë apo në një lidhje serioze janë financat, marrëdhëniet në familje, fëmijët, planet dhe pritjet nga jeta, që zakonisht sjell deri te ndarja apo shkurorëzimi.

Prandaj, britanikëve u ra ndërmend të mendojnë se para hyrjes në jetë të përbashkët ta testojnë kompatibilitetin e partnerit.
Para jetës së përbashkët kontrolloni nëse ju dhe partneri juaj keni pikëpamje të njëjta, nëse e dëshironi një familje tradicionale apo bashkëkohore dhe a planifikon ai që punët e shtëpisë t’i kryeni së bashku.
Paraja
Sa janë të ardhurat e gjysmës tjetër dhe a e di ai sa ju fitoni? A i ndani kursimet, apo ai dëshiron të blejë një veturë të re, gjersa ju do donit të kurseni? A qëndron paraja në një vend të përbashkët, apo secili mban kuletën e tij? Planifikoni të hapni një llogari të përbashkët? A keni diçka kundër që t’i mbuloni borxhet e partnerit tuaj me paratë me të cilat keni planifikuar t’i investoni në shtëpi?
Shpenzimet
Nuk mund të hiqni dorë nga këpucët e shtrenjta apo rrobat më të reja? A e fshihni nga partneri minusin në kartelë? A luani bixhoz? A jeni të varur nga diçka dhe a është në dijeni partneri juaj për një gjë të tillë?
Lidhjet familjare
Cilat janë marrëdhëniet tuaja me farefisin – të afërm dhe të largët? A jeni në kontakt me familjen dhe a planifikoni që këtë lidhje ta forconi edhe më? A përzihen ata në jetën tuaj? A jeni në marrëdhënie të këqija me familjen tuaj apo të partnerit?
Fëmijët
A dëshironi fëmijë dhe sa? Si mendoni t’i edukoni? A pajtoheni të investoni në edukimin e tyre?