Këmbët: Nga joshja te tradhtia

Doni të dini se çfarë mendon për ju një femër që keni përballë? Shikoni me vëmendje se si i lëviz këmbët. Një studim anglez zbulon sekretet e gjuhës së trupit, por njëkohësisht paralajmëron se me meshkujt, kjo gjë nuk funksionon dhe aq


Një fjalë e urtë popullore thotë: "Sytë janë pasqyra e shpirtit". Por, nëse doni të dini se çfarë mendon me të vërtetë bashkëbiseduesi juaj, sidomos nëse është femër, mos e shihni në fytyrë, por përqendrohuni te këmbët. Nëse i luan, duke i afruar ose larguar nga personi që ka përballë, do të thotë se i pëlqen; e kundërta nëse i mban të lidhura, ose duke ndenjur ulur, i mbledh dhe qëndron mbi to. Sinjali më i keq është kur i mban në një vend, pa lëvizur. Ky gjest tregon se po gënjen ose është e shqetësuar.
"Gjuha e këmbëve" është tema e disa studimeve të kryera në të gjithë botën nga një psikolog i Universitetit të Mançesterit. Teza e tij është se këmbët tregojnë gjendjen tonë shpirtërore më shumë se shprehja e fytyrës ose veprimet e duarve. Një mashkull duhet të fokusohet pikërisht te këmbët e femrës për të kuptuar se çfarë fshihet brenda zemrës së saj.
Mesa duket, të njëjtat rregulla nuk vlejnë për femrat në lidhje me meshkujt, sipas profesor Goeffrey Beattie, autor i studimit. Sipas tij, meshkujt i lëvizin këmbët ndryshe nga pikëpamja sentimentale, përveç dy situatave: kur i mbajnë këmbët e palëvizura, janë të pabesë, ndërsa kur i lëvizin vazhdimisht, janë nervozë. "Edhe pse shumë njerëz e dinë se çfarë mesazhi japin shprehjet e fytyrës, ose veprimet e duarve, janë të pakët ata që kuptojnë lëvizjet e këmbëve dhe mesazhet që japim përmes tyre", thekson Beatty, dekan i Universitetit të Mançesterit dhe psikolog i spektaklit "Big Brother" në Angli. Zakonisht asnjë person nuk u kushton rëndësi, por në fakt të gjithë duhet të fokusohen te këmbët. "Në fakt, gjuha sekrete e këmbëve mund të tregojë shumë për personalitetin tonë, se çfarë mendojmë për personin që kemi përballë dhe se cila është gjendja jonë emocionale dhe psikologjike", vazhdon më tej studiuesi. "Njerëzit mund të stampojnë në fytyrë një buzëqeshje hipokrite, ose ta fshehin atë që po bën përmes syve por, në fakt, këmbët janë më të lehta për t‘u analizuar, sepse pothuajse asnjë nuk është i vetëdijshëm se si i luan. Janë lëvizje instiktive dhe padyshim shumë të sinqerta, një mënyrë komunikimi joverbale".
Për të arritur në një përfundim, profesor Beatty ka studiuar literaturën shkencore ekzistuese mbi argumentin në shumë vende të botës dhe ka kryer disa studime të tjera. "Për shembull, nëse takon dikë për herë të parë dhe ky person vetëm qesh, nuk do të thotë se ka një mendim pozitiv për ju", shprehet Beatty për studimin. "Njerëzit mund të qeshin me atë që kanë përballë, për të fshehur nervozizmin ose kryeneçësinë, por të dhënat që kam nxjerrë nga ky studim tregojnë që një grua, e cila lëviz këmbët ndërsa qesh, tregon një sinjal të qartë dhe të fuqishëm se bashkëbiseduesi që ka përballë i pëlqen. E kundërta ndodh kur i kryqëzon ose i mbledh. Ky nuk është një sinjal i mirë".
"Daily mail" i ka ilustruar thëniet e profesorit me imazhin e famshëm të filmit "I diplomuari", ku Anne Bancroft drejton njërën këmbë nga Dustin Hoffman për të veshur çorapen. Kjo është një prej skenave më të bukura dhe më seksi të kinemasë, edhe pse në atë rast, nuk kishte dyshime që qëllimi i Ann ishte të joshte me atë gjest shumë provokues djaloshin që kishte përballë.

Intervista
Sipas seksologes Roberta Giommi, mund të jetë vetëm një lojë narcisizmi
"Është gjest joshjeje, por kujdes nga keqkuptimet"

"Për femrat, këmbët e zbathura ose me çorape, janë një mjet joshjeje. Kush përdor gjoksin dhe pjesën e sipërme të trupit është më e orientuar drejt miqësisë, nëse përdoren vithet dhe këmbët për të dhënë sinjale joverbale në komunikim, përfshihet edhe aspekti seksual". Sipas psikologes dhe seksologes Roberta Giommi, femrat i përdorin këto pjesë të trupit për të folur ndryshe, por duhet të bëjnë kujdes nga keqkuptimet, sepse kjo nuk është vetëm një mënyrë për të komunikuar gatishmëri, por janë edhe sinjale që mund të kënaqin një dëshirë narcisizmi.
Doktoreshë, si mund t‘i shmangim keqkuptimet?
Modeli i këpucëve, takat, ngjyrat mund të shprehin një kërkim vëmendjeje vizive, por sinjali mund të vijë nëse femra e zhvendos shikimin drejt këmbëve te personi që ka përballë. Shpesh edhe disa meshkuj luajnë me modelin e këpucëve, përdorin këmbët për të joshur.
Çfarë mendoni për domethëniet e tjera që lidhen me mënyrën e mbajtjes së këmbëve?
Janë gjeste më pak të vetëdijshme: zakonisht i përplasin këmbët kur mendojmë se personi që kemi përballë nuk është i interesuar te ne, për të treguar padurim ose nervozizëm, por edhe për të nxjerrë inatin. Këtë veprim e bëjnë më shumë meshkujt sesa femrat, të cilat i besojnë më shumë pjesës së sipërme të trupit për një komunikim joverbal.