Adem Harxhi: Bota rrotullohet rreth seksit…

Intervistoi: Raimonda Moisiu

 Njerëzit janë qenie komplekse dhe të ndërlikuara. Ne të gjithë ndjehemi, mendojmë sillemi dhe kërkojmë ndryshimin, nga dita në ditë. Megjithatë, psikologët, doktorët e hulumtuesit kanë sjellë përvoja, procese dhe eksperienca të ndryshme, duke trajtuar kështu çështje të ndryshme, në mënyrë që njerëzit të mësojnë e të mos harrojnë qëndrimet e tyre dhe të personalitetit të njeriut, dhe ajo çka i motivon në të përditshmen njerëzore. Dr. Adem Harxhi pasi ka përfunduar karrierën e tij me sukses në fushën e okulistikës, “në muzgun e jetës”, pasi kishte dalë në pension, siç shprehet edhe vetë dr. Harxhi, filloi të merrej me subjektin e edukatës seksuale, kaq pak të njohur dhe të keqinterpretuar në shoqërinë tonë. Përpos shkrimeve e artikujve studimorë, leksioneve për edukatën seksuale e artin e dashurisë, ka botuar disa libra, siç janë “Seksualiteti dhe seksi”, “Fëmijët duan të dinë për seksin”, “HIV/AIDS dhe të rinjtë”, “ Në sinkron me natyrën”, duke treguar vlerat dhe etikën e shërbimit për njerëzimin dhe dashurinë njerëzore. Duke ndjerë një detyrim moral e shpirtëror për shoqërinë e sotme dhe familjen shqiptare, në veçanti, për edukatën seksuale dhe artin e dashurisë, bëra këtë bisedë, larg drojës me seksologun, dr. Adem Harxhin. Për më shumë, ndiqni bisedën!

Dr.Harxhi, jeni bërë tashmë një seksolog mjaft i njohur jo vetëm në shtypin shqiptar ku jeni çdo ditë aktiv, por edhe në SHBA, në median shqiptaro-amerikane. Përpos shkrimeve e artikujve studimorë, leksioneve për edukatën seksuale e artin e dashurisë, ju keni botuar disa libra siç janë ‘Seksualiteti dhe Seksi”, “Fëmijët duan të dinë për seksin”, “HIV/AIDS dhe te Rinjtë”, “ Në Sinkron me Natyrën”. Pse dhe kur vendosët të ndërroni profil nga një mjek okulist prej shumë vitesh në një seksolog?
Shumë njerëz e miq ma kanë bërë këtë pyetje. Por duhet të dini, se arsyet që më cytën mua, “Doktorin e syve”, që në muzgun e jetës, pasi të kisha dalë në pension, të merrem me këtë subjekt kaq pak të njohur dhe në të njëjtën kohë kaq shumë të keqinterpretuar në shoqërinë tonë, janë të shumta. Kush më mirë se unë, mjeku që i kisha plotësuar kërkesat e profesionit për afër dyzet vjet dhe që me punën time e kisha fituar të drejtën të kapërceja kufijtë e një zakoni shtypës, mund ta bënte më mirë këtë punë?. U ndjeva i lirë të them atë që besoj se është e drejtë dhe e domosdoshme. Ndjeva se duhet të flisja e të shkruaja për ç’ka më dukej e vërtetë.

Për shumë vite kisha dhënë leksionet e fiziologjisë dhe anatomisë në Universitet. Asnjë fjalë nuk u thashë studentëve të mi të Universitetit E. Çabej, për fiziologjinë e aktit seksual dhe për mësimet në këtë fushë. Puna ime ishte një kthim borxhi i vonuar, për ata mijra studentë.
Kisha moshën dhe eksperiencën e përshtatshme, për ta kryer këtë detyrë. Kam punuar dhe studiuar në teorinë dhe praktikën e mjekësisë për shumë vite. Me eksperiencën që kisha fituar dhe ndihmën që u kisha ofruar, isha bërë i besuari i shumë të rinjve, burrave dhe grave. Besimi i tyre më frymëzoi që t’ia hyj kësaj pune.
Jam bashkëshorti që ka provuar kënaqësitë e jetës martesore. Jam një burrë mbi shtatëdhjetë e pesë vjeç, që e kam soditur jetën, ashtu siç ajo ka qenë dhe ashtu siç është sot. Një burrë, qe i ka lënë me kohë prapa “marrëzitë e rinisë”, por, që akoma, nuk i ka humbur të gjitha dëshirat.
I mblodha të gjitha këto entitete, për të dhënë kontributin tim në këtë punë. Jam i bindur se këshillat dhe sugjerimet që jap në librat, shkrimet dhe emisionet televizive, i jap me ndjenjën e përgjegjësisë etike dhe shpirtërore. Shpresoj që shumë burra dhe gra edhe nëse nuk do të guxojnë t’i shprehin me zë të lartë falënderimet për këtë punë, ata do ta bëjnë këtë me frymëmarrjen e shpeshtuar në intimitetin e shtratit martesor. Puna ime do ta ketë arritur qëllimin, atëherë, kur për seksin dhe problemet e tij, të mos pëshpëritet, por të flitet hapur.
Shumica e njerëzve janë ndoshta të njohur me termat “terapist” dhe “konsulent” që lidhen me seksin dhe marrëdhëniet seksuale, por ata mund të mos dinë rolin e një “seksologu”. Ç’mund të na thoni rreth këtij roli?
Pavarësisht termave dhe përkufizimeve të mërzitshme, unë zgjodha të bëj punën e edukatorit për problemet seksuale. Zgjodha ta bëj këtë për të gjitha moshat dhe kategoritë. Unë nuk punoj në klinikë ku vinë njerëzit me probleme. Unë shkruaj dhe flas për qindra e mijëra njerëz. Ata që duan më dëgjojnë. Jam i lumtur që numri i tyre është shtuar dhe i kanë ndjerë frytet e kësaj pune. Edukimi masiv është me shumë rëndësi në fushën e seksit. Ajo është më produktive nga puna në një klinikë mjeku, ku janë përballë i sëmuri dhe terapisti i tij.
Në seksualitetin human çfarë ngashënjen apo ngjall më shumë interes?
Nuk ka një aktivitet tjetër njerëzor që të jetë më i kërkuar, më i kënaqshëm më emocional dhe më i shëndetshëm se seksi. Marrëdhënia seksuale është aktiviteti ku kombinohen në nivelin më të lartë kënaqësia fizike me ndijimet psiko-emocionale. Kënaqësia e madhe fizike dhe emocionet e pakrahasueshme pozitive, janë ato që e bëjnë seksin aktivitet të pazëvendësueshëm, për të cilin “vdesin” të gjithë. Në dallim nga kafshët që bëjnë seks vetëm për riprodhim, njerëzit bëjnë seks për riprodhim, për kënaqësi dhe për të forcuar miqësinë dhe dashurinë midis tyre.
Kur fillon tek njerëzit ndjeshmëria seksuale? A është kjo ndjeshmëri biologjike, dëshirë, pasion, kuriozitet, e vetëdijshme, e pavetëdijshme dhe çfarë pasoja pozitive dhe negative ka?
Njerëzit ashtu si dhe gjitarët e tjerë lindin me tre instikte a-instikti i ushqyerjes b- instikti i shumëzimit (seksual) dhe c-instikti i mbrojtjes. Mbi këto tre instikte bazë, ndërtohet dhe zhvillohet i gjithë aktiviteti mendor, ose veprimtaria reflektore e kondicionuar.
Le të jem më i drejtpërdrejtë. Fëmijët lindin me ndjeshmëri seksuale. Të gjitha nënat e kanë vënë re kënaqësinë që ndjejnë bebet kur ato u prekin organet gjenitale. Mjekët Obstetër dhe mamitë kanë parë që disa djem lindin me penis të erektuar. Shumë nëna janë shqetësuara sepse fëmijët e tyre 2-3 vjeçarë të kënaqur fërkojnë gjenitalet duke bërë lëvizje sikur bëjnë seks mbi tapet, ose në anët e kolltukut. Shumë nga këto nëna, të shqetësuara, më kanë thënë se përpiqen t’i largojnë fëmijët nga këto sjellje, por ata nuk shkëputen. Ata nuk duan të largohen nga kënaqësia që marrin nga trupin i tyre. Fëmijët bëjnë mirë, gabim veprojnë prindërit që duan t’i pengojnë. Kjo nuk ka asnjë pasojë të rrezikshme, kjo është krejt fiziologjike dhe si e tillë ndihmon në zhvillimin psiko-emocional të fëmijës. Fëmijët e moshës së pubertet kënaqen seksualisht duke masturbuar, madje ka prej tyre që masturbojnë disa herë në ditë. Masturbacioni është aktivitet i shëndetshëm dhe ai nuk ka asnjë të keqe, kur kryhet në kushte të mira higjienike si tek vajzat dhe tek djemtë.
Në pubertet të rinjtë fillojnë marrëdhëniet seksuale me shokët ose shoqet. Këto marrëdhënie janë të shumëllojshme. Ato ngjajnë me një tren që ndalon në disa stacione. Fillojnë me daljet, puthjet, përkëdheljet, puthjet e thella, masturbacionin reciprok e deri në seksin penetrant vaginal. Të gjitha këto aktivitete janë seksuale. Ato janë të shëndetshme dhe ndikojnë pozitivisht. Por dy të rinj, përpara se të përfshihen në këto aktivitete, duhet të bien dakord se deri ku do të shkojnë. Në cilin stacion do të ndalojnë. Por një gjë duhet të jetë e qartë, të rinjtë nuk duhet të fillojnë aktivitetin seksual vaginal përpara moshës 18-19 vjeç. Pas kësaj moshe gjithkush vendos vetë, por gjithnjë me mirëkuptim të të dy partnerëve. Është e vërtetë që adoleshentët nga pikëpamja fizike, janë të pjekur seksualisht që kur u fillon puberteti, por psiko-emocionalisht ata nuk janë gati të fillojnë marrëdhëniet seksuale që në moshën 13-14-15 vjeç. Seksi vaginal ka disa pasoja që të rinjtë e kësaj moshe nuk mund t’i përballojnë. A e përballon dot një vajzë trembëdhjetë vjeçe të bëhet nënë, kur ajo vetë ka nevojë për nënën e saj që të rritet?. Po një djalë a mund të bëhet baba në moshën 14 vjeç? A i përballojnë dot këta të rinj sëmundjet seksualisht të transmetueshme, që shpesh janë me pasoja të rënda për shëndetin, pa folur për HIV/AIDS që merr jetën? Për të gjitha këto arsye, marrëdhënia seksuale vaginale duhet të fillojë pas moshës 18-19 vjeç. Ata kanë plot mënyra që të kënaqen seksualisht me njëri-tjetrin, madje deri në orgazmë, pa u rrezikuar.
Në blogun tuaj keni një audiencë virtuale me mbi 14 mijë lexues aktivë që ju pyesin pyetje të ndryshme. Si arrin Dr. Harxhi t’u adresohet njerëzve në mosha dhe me probleme të ndryshme, sepse dihet që “Bota rrotullohet rreth seksit”?
Është e vërtetë që në adresën e blogut www.seksologu.com , vinë çdo ditë rreth 20 pyetje. Është jashtë mundësive të mia t’u përgjigjem të gjithëve, por të gjithë marrin shpjegime për pyetjet e tyre. Në këto dy vjet që unë kam hapur blogun më janë drejtuar mijëra pyetje, të cilat më kanë dhënë mundësinë të njoh realisht problemet e jetës seksuale me të cilat përballen njerëzit e moshave dhe kategorive të ndryshme. Blogu, në këtë mënyrë, është bërë një burim i madh informimi për mua. Ne që e përditësojmë dhe ata që e frekuentojnë blogun, e kemi shndërruar atë në një institucion bamirësie. Njerëzit pyesin për problemet e tyre në çdo kohë, në çdo situatë, madje edhe kur sapo përballen me vështirësinë në shtratin martesor dhe marrin nga unë përgjigjen shpejt, lehtë dhe pa asnjë shpërblim. Unë e konsideroj blogun një vend ku unë jap kontributin tim. I vetmi motiv që më shtyn ta mbaj në mënyrën më të mirë të mundshme këtë blog, është dëshira për t’u shërbyer njerëzve, në një fushë të aktivitetit human që është intime, e fshehtë dhe e panjohur mirë.
A keni reagime të ndryshme nga audienca të ndryshme??
Përgjithësisht njerëzit komunikojnë mirë dhe hapur me mua. Ata janë mirënjohës për ndihmën që u jap. Aty këtu ka edhe ndonjë që provokon, ose dëshiron ta degradojë komunikimin, por këto tani janë fare të rralla, e të papërfillshme. Këto ngacmime i kaloj pa u dhënë rëndësi.
A influencon seksi për të mbajtur sa më gjatë një lidhje bashkëshortore?
Martesa është si bisha. Bisha nuk ngopet me mish, martesa nuk ngopet me seks. Studimet tregojnë se në tërësinë e marrëdhënieve martesore e familjare, siç janë fëmijët, puna, ekonomia, kushtet e banimit, karriera,shkollimi i fëmijëve e shumë të tjera, seksi zë rreth 13-15% të tyre. Duket sikur seksi zë një hapësirë të vogël në marrëdhëniet martesore. Por e vërteta është se marrëdhëniet seksuale janë esenciale për martesën dhe familjen. Pa seksin familja dhe martesa nuk qëndrojnë dot. Nuk bëjnë mirë ata që u refuzojnë partnerëve kërkesën për të bërë seks. Këtë sjellje, shumë gra e përdorin për t’u bërë presion burrave, por duhet ta dinë se nuk veprojnë mirë. Kur të shkojnë në dhomën e gjumit çiftet duhet t’i kenë lënë telashet dhe zënkat në dhomën e ndenjes.
Pse tradhtojnë burrat? Apo janë instiktivë? Ku anon më shumë procesi i instinktit te femra apo te mashkulli, dhe anasjelltas, kush është më i ndjeshëm e i vërtetë?
Burrat tradhtojnë për të njëjtat arsye që tradhtojnë edhe gratë. Sipas studimeve përqindja e burrave që tradhtojnë është përafërsisht e barabartë me përqindjen e grave që tradhtojnë. Instikt është seksi jo tradhtia. Tradhtia e burrave ose e grave nuk ka të bëjë me instinktin seksual, ajo ka të bëjë me sjelljen e çdo personi të veçantë dhe formimin e tij. Por në këto sjellje ka edhe diçka të lindur. Ja çfarë shkruan Frojdi për këtë: “Impulsi primitiv i burrave, i shtyn ata për seks me shumë gra të ndryshme e të reja. Ata duan gra të ndryshme, sepse vazhdimisht kanë nevojë për stimulime të reja. I duan të reja, sepse ato duhet të jenë nëna që t’i lindin e ushqejnë fëmijët për sa më shumë vjet.”
Frojdi thotë se “Civilizimi është ndërtuar.. … duke sakrifikuar kënaqësitë e impulseve primitive”. Por, pavarësisht këtyre sakrificave, impulset akoma ekzistojnë. Impulset në disa burra janë më të fuqishme se në disa të tjerë. Burrat më të civilizuar kanë impulse seksuale më të “zbutura” dhe e arrijnë kënaqësinë seksuale me një grua morale që e duan dhe me të cilën ndërtojnë marrëdhënie. Burra të tjerë me impulse primitive dhe me mungesë të vetëvlerësimit, e arrijnë kënaqësinë seksuale intensive vetëm me gra anonime, të cilat i shikojnë si inferiore. Edhe kur shoqëria nuk i stigmatizon prostitutat, këta burra i ndëshkojnë ato si inferiore.
Frojdi e vazhdon argumentin në këtë mënyrë: “Të gjithë burrat, në të vërtetë, kënaqen me seksin anonim me gra ‘të ndaluara’. Atyre u pëlqen një akt seksual i shpejtë. U pëlqen një orgazmë që nuk ka të bëjë me dashurinë, me paralojën e zgjatur seksuale dhe me shqetësimin për të kënaqur seksualisht partneren. U pëlqen një kopulim që është, vetëm, një akt i thjeshtë seksi.”
Për Frojdin, prostitutat “e këqija” ekzistojnë që gratë “e mira” dhe nënat, të shikohen si shtylla që mbajnë virtytin. Pa prostitutat, Madona nuk do të ishte aq e pastër dhe e dëshiruar sa ç’është.
Dr. Harxhi, kur dy njerëz duhen marrëzisht dhe e kanë idhull njëri-tjetrin, pse ndahen? A mos ndoshta ka diçka në marrëdhëniet e tyre seksuale që nuk shkon ….?
Personalisht jam kundër këtyre lloj dashurive romantike. Dashuria romantike sot është vërtetuar plotësisht se është një çrregullim obsesiv-kompulsiv, ose një xanxë, që duhet të mjekohet nga psikiatrit, sepse ndryshe ajo çon në depresione që rezultojnë në pasoja të dëmshme për shëndetin deri në vetë-vrasje. Partneri seksual nuk duhet bërë idhull as hyjni, as ta ngjitim si statujë në piedestal. Unë mendoj se piedestali nuk është pozicioni më i mirë për seks. Po e ngrite në piedestal do të mungojë seksi dhe martesa pa seks nuk mbahet dot. Unë kam takuar një djalë të ri i cili m’u ankua se nuk bënte dot seks të pistë, me gruan e tij të dlirë. A ja vlen kjo, kur bisha martesë kërkon “mish”?

Synetllëku ndikon për mirë në marrëdhëniet seksuale apo për keq, d.m.th. një partnere është më e kënaqur më një mashkull që është bërë synet apo siç e ka bërë Zoti??
Syneti është një procedurë që konsiston në heqjen e lafshës së penisit. Zakonisht ka patur karakter fetar dhe akoma vazhdon si i tillë. E praktikojnë myslimanët, izraelitët dhe religjione të tjera. Syneti është një procedurë që e këshillojnë edhe mjekët në situata të caktuara shëndetësore, siç janë fimozat, kur lafsha nuk shpërvishet dhe nuk e zbulon kokën e penisit. Disa gra thonë se penisi i bërë synet duket më i bukur nga ai që nuk është bërë. Të tjera thonë të kundërtën. Disa djem janë më të kënaqur që janë bërë synet, të tjerë duan ta kthejnë lafshën përsëri, por nuk munden. Çdo përgjigje për këtë pyetje është individuale dhe varet nga shijet e gjithsecilit. Për marrëdhënien seksuale, syneti nuk ka ndonjë efekt të veçantë për gratë. Për burrat e bërë synet koka humbet pak ndjeshmëri dhe ata mund ta vazhdojnë më gjatë aktin seksual.
Po tek femra, Dr. Harxhi, a ka ndonjë ndërhyrje analoge siç është syneti te meshkujt?!
E keni fjalën për synetin femëror?. Po, ai ekziston, por ai është një mutilim (shkatërrim) i organeve gjenitale të vajzave dhe grave. Ai praktikohet kryesisht në vendet afrikane dhe synon t’u heqë vajzave klitorin, organin e kënaqësisë seksuale femërore. Duke u hequr klitorin, vajzat dhe gratë humbasin interesin për seks. Ka kultura qe heqin krejt vulvën. Syneti femëror ose Mutilimi Genital Femëror (FGM ) përmbledh këto teknika: a-”Sunna” circumcision: Konsiston në heqjen e prepuciumit (lafshës) dhe kokës së klitorit. Sunna në arabisht do të thotë “traditë”. b-Clitoridectomy: Konsiston në heqjen e të gjithë klitorit dhe të buzëve të vogla vaginale që lidhen me të. c- Infibulation: Ndryshe quhet dhe circumcisioni faranoik. Kjo është forma më ekstreme. Konsiston në heqjen e klitorit dhe të buzëve të mëdha dhe të vogla. Anët e prera të vulvës bashkohen me disa thumba mbi vaginë, ose qepen me pe. Lihet një vrimë e vogël që të lejojë kalimin e urinës dhe të gjakut menstrual. Një grua e infundibuluar mund të incizohet dhe të hapet për të lejuar interkursën natën e parë të martesës dhe mbyllet përsëri pas kësaj, kur burri do të largohet. Kjo bëhet për të siguruar besnikerinë ndaj burrit. Në të gjithë botën ka më shumë se 100 milion vajza dhe gra, që sot janë viktima të disa prej këtyre formave të synetit femëror. Nga ky numër i madh, 15 përqind vdesin si pasojë e drejtpërdrejtë e praktikës. Ato që mbeten gjallë vuajne për vite nga dhembje kronike, infeksione, hemorragji, çrregullime të vezikës, të veshkave, të urinimit. Vihen re komplikacione ekstreme gjatë shtatzanisë, interkursës seksuale dhe rënie e ndjeshmërisë seksuale. Kombet e Bashkuara, duke njohur të drejtën themelore të çdo individi dhe të drejtën e çdo njeriu që të ketë trupin të paprekur, kanë bërë apel urgjent që të gjitha vendet ta ndalojnë këtë praktikë. Kjo praktikë torturuese kryhet për t’i larguar vajzat dhe gratë nga tradhtia bashkëshortore. Po për këtë arsye, në mesjetë u shfaqën për herë të parë në Europë Rrypat e chastity (ndershmërisë). Ato ishin një instrument torturonjës, që përbëheshin nga një kornizë metalike që vendosej midis këmbëve të gruas nga para dhe mbrapa. Në të kishte dy vrima të vogla një për urinimin dhe një për defekimin. Qëllimi i tyre ishte të pengonin penetrimin vaginal. Ato mbylleshin me çelës që e mbante burri. Burrat kishin fuqinë të kyçnin gratë e tyre, pasurinë e tyre seksuale, ashtu siç bënin me çdo pasuri tjetër të tyre. Kjo lloj dlirëesie mekanike, në forma të ndryshme, ka qenë imponuar për gratë që nga kohët e vjetra. Tek “Odyseja” e Homerit, Afërdita tradhtonte burrin e saj Hefestin, i cili për t’i dhënë fund mosbesnikërisë së gruas, farkëtoi një mbrojtëse metalike për pjesët e saj private. Thuhet se kalorësit e kryqëzatave, gjatë udhëtimeve të tyre në Lindje, i gjetën gratë që deshën t’i përdhunonin të vendosura në rrypat e dlirësisë dhe te infimbuluara. Burri, ishte ai qe natën e pare te martesës i hiqte këto unaza metalike. Në Testamentin e Vjetër, gjithashtu, flitet për këto rrypa të dlirësisë. Kur Izraelitet shkuan në Tokën e Shenjtë dhe filluan të ndërtojnë Tabernacle, kërkuan që njerëzit te jepnin pasuritë e tyre për të krijuar fonde për ndërtimin. Gratë dhuruan byzyliqe, vathë, të gjitha zbukurimet prej ari. Midis objekteve ishte dhe “koomaz”, që sot përkthehet me fjalën “pjatë.” Sipas Talmud-it, “koomas” është shkurtim për frazën ”këtu është vendi i bëmave të turpshme”. Ka shumë anekdota lidhur me”rrypat e dlirësisë”,dhe synetin femëror, por një gjë është e vërtetë, ato merrnin nëpër këmbë jo vetëm seksualitetin femëror por edhe dinjitetin femëror. Fatkeqësisht, akoma sot, ka burra që i vendosin gratë e tyre në rrypa dlirësie dhe mutilojnë organet gjenitale të vajzave dhe grave.
Jetojmë në një kohë shpikjesh në mjekësi të stimuluesve. Ajo që ka lidhje me boshtin e kësaj bisede rreth stimuluesve si VIAGRA-apo- BLUE PILL-(Tableta Blu)- veprimi pozitiv dhe pasojat negative të tyre dhe cili grup-moshe e ka të domosdoshme dhe e blen më shumë?
“VIVA VIAGRA”.Ky është refreni që këndojnë qindra miliona çifte kudo në botë, të cilëve Viagra u ktheu lumturinë e jetës seksuale. Ishte 27 Marsi i vitit 1998, kur në Amerikë u dha leja që bari i prodhuar në laboratorët farmaceutikë të Pfizer, e që u quajt Viagra, të futet në tregun farmaceutik. Viagra, në gjithë historinë e mjekësisë, është i pari mjekim efektiv që merret nga goja për të mjekuar impotencën seksuale mashkullore. Ai është ilaçi më i kërkuar dhe më i mirëprituri nga njerëzit, në të gjithë historinë e farmakologjisë. Viagra ndryshoi botën para syve tanë dhe natyrisht jo pa arsye. Ilaçe të tilla kanë ardhur pak herë gjatë historisë së shkruar botërore. Kjo kokërr e vogël blu, që doli në treg pas shumë vite testimi në Amerikë dhe në Europë, meriton të quhet “Ilaçi çudibërës”. Si mjek që merrem me mjekësinë seksuale them se Viagra është gjithçka që duhej të ishte dhe që ka potencialin të bëjë edhe më shumë. Në kohën kur Viagra doli në dritë, sëmundja që në qarqet mjekësore quhej impotenca, pa zhurmë dhe qetësisht, kishte arritur proporcione epidemike. Mjekësia kish bërë shumë përparime në fusha të tjera, por asnjë bar kundër impotencës nuk kish efekte të kënaqshme. Sot për sot dhe për shumë vjet të tjera, Viagra, është dhe do të jetë “mbreti” midis gjithë mjekimeve për impotencën mashkullore. Ajo është si një “dhuratë në mjekësinë e sotme”. Pas Viagrës kanë dalë edhe dy barna të tjerë me veprim të njëjtë kundër impotencës seksuale mashkullore. Ato janë Cialis dhe Levitra. Sot ata që vuajnë nga impotenca kanë mundësi të zgjedhin barin që u shërben më mirë. Viagra u shërben kryesisht të moshuarve, diabetikëve dhe gjithë burrave që vuajnë nga impotenca seksuale mashkullore për arsye vaskulare. Viagra ka edhe disa efekte anësore joserioze, që kalojnë pa pasoja brenda disa minutave ose orëve pas përdorimit. Disa nga këto efekte anësore janë: turbullimi i pamjes, dhimbja e kokës, zënia e hundëve e tjera. Por, burrat nuk pyesin për këto fenomene anësore kur efekti kryesor i saj është i mirë dhe jeta seksuale e çiftit përmirësohet.
Kalojmë te një çift në shtrat. Dihet që televizionet janë të hapura dhe ne shohim gjithçka. Shpesh ndjekim e dëgjojmë dialogun e çiftit gjatë aktit seksual, jo vetëm është dialog i rëndomtë që kur e sheh dhe e dëgjon e shëmtojnë marrëdhënien, sepse Dr. i dashur edhe akti seksual kërkon fjalë që të zbukurojnë këtë akt. Mos vallë ky lloj dialogu i rëndomtë na paralajmëron diçka….apo…?
Ju keni të drejtë. Shtrati martesor duhet të jetë vendi ku të demonstrohet kultura e të folmes, kultura e barazisë dhe konsensusit. Por siç kam theksuar edhe herë të tjera, gjuha e degraduar është një lloj afrodiziaku. Frojdi tregoi se shumë njerëz e humbasin pasionin, nga që nuk ndjehen mirë prej fjalëve të turpshme. Kjo ishte shumë e vërtetë gjatë periudhës viktoriane, në të cilën njerëzit ndjenin krupë nga gjuha tërësisht seksuale. Në “On the General Degradation of Erotic Life” të shkruar me 1912, Frojdi sugjeron se që të kapërcejnë impotencën, burrat duhet të shqiptojnë një varg fjalësh të turpshme pasionante. Thuaj gruas atë që dëshiron të bësh me të dhe ti do të jesh në gjendje ta bësh atë. Kjo sipas Frojdit do të thotë një “degradim” i përkohshëm i gjinisë tjetër, një e keqe e vogël pa rëndësi, për një të mirë të madhe dhe të këndshme: “Ndonëse mund të duket jo e këndshme dhe po ashtu paradoksale, por është gjerësisht e pranuar se të jesh i zoti për të qenë vërtet i lirë dhe në të njëjtën kohë totalisht i lumtur në jetën erotike, duhet pa tjetër ta kesh humbur respektin për gruan”.
Sot, kësaj mund t’i shtohet dhe e kundërta. Observimet kanë treguar se tre fjalë të vogla, të thëna “vendçe”, që kanë të bëjnë me aktin seksual dhe organet që marrin pjesë në të, janë më tabutë në të gjitha gjuhët. Ato fjalë të vogla, janë edhe më erotiket në gjuhën tonë dhe në të gjitha gjuhët e botës. Fjalët e “ndaluara” janë çelësi që hapin “oreksin” seksual. E dini pse? Sepse ato janë të ndaluara.
Në blogun tuaj, Dr. Harxhi, ju jeni në rolin e konsulentit. A ka pasur ndonjë çështje të veçantë mes partnerëve që e keni vënë re të dalë në mënyrë të përsëritur? A mendoni se ato çështje mund të zgjidhen para se ato të bëhen problematike, dhe çfarë iu sugjeroni partnerëve?
Në blog shumica e frekuentuesve janë të rinjtë. Shqetësimi më i shpeshtë i vajzave dhe djemve lidhet me virgjërinë. Vajzat nuk shqetësohen pse e kanë humbur virgjërinë, sepse siç thonë, ato me dëshirë e kanë hedhur këtë hap, por ato shqetësohen se duan të jenë të virgjëra kur do të fillojnë një marrëdhënie të re, ose do të martohen. Ato kërkojnë të dinë sesi mund ta rikthejnë virgjërinë, pavarësisht kostove të larta për këto ndërhyrje. Në gjithë këtë shqetësim dallon tendenca e vajzave që e kanë humbur virgjërinë, për ta filluar jetën me një gënjeshtër të madhe, për t’u dukur natën e parë të martesës ashtu si nuk janë.
Djemtë kanë shqetësim pamundësinë e njohjes së një vajze të virgjër nga një vajzë jo e virgjër. Ata duan të dinë si mund të dallohet një vajzë e virgjër. Djemtë edhe pse duan të zhvirgjërojnë vetë të gjitha vajzat, vajzën e tyre e duan të virgjër e të paprekur prej shokëve të tyre. Kjo është një sjellje kontradiktore, por që është reale dhe këtë shqetësim ata e tregojnë çdo ditë në pyetjet që dërgojnë. Shqetësime të tjera janë ato që kanë djemtë lidhur me madhësinë e penisit, prishjen parakohe dhe vihet re një rritje e ndjeshme e numrit të djemve të rinj që ankohen për shkalla të ndryshme të impotencës.
A mendoni se ka shumë njerëz që hezitojnë të kërkojnë ndihmën e një konsulenti për problemet e tyre në marrëdhëniet seksuale? Nëse po, pse mendoni se është dhe si mund partnerët të kapërcejnë atë?
Shumica e njerëzve me probleme të sferës seksuale, nuk kërkojnë ndihmë. Kjo është pasojë e kohëve kur për seksin nuk flitej e nuk shkruhej. Kur seksi ishte akoma një tabu në kulturën tonë edhe të shumicës së kulturave në botë. Para disa ditësh një vajzë e re nga Kosova më kërkonte mendimin se a duhet të shkojë një vajzë që ka shqetësime tek gjinekologu? Këtu tek ne thoshte ajo të pi e zeza të të shohin se shkon tek gjinekologu.
Është gabim dhe me pasoja kur një person me shqetësime të sferës seksuale nuk konsultohet me një terapist. Në blogun tim, ku njerëzit shkruajnë si anonimë, pyetjet janë nga më të ndryshmet, sa që më habisin me çiltërsinë e tyre, gjë që nuk e bëjnë dot tek doktori dhe terapisti. Shpresoj që kjo situatë të kapërcehet shpejt.
Si duhet të jetë një konsulent efektiv? Çfarë duhet të presin njerëzit nga konsultimi për problemet seksuale?
Terapisti ose konsulenti për problemet seksuale, duhet të jetë njeri me integritet moral, me njohuri të mira dhe me botëkuptim bashkëkohor. Kështu e duan njerëzit terapistin ose konsulentin që t’i besojnë sekretet e jetës së tyre seksuale. Ka raste që pacientët dhe terapeftët bien në dashuri me njëri tjetrin. Kjo ndodh sepse procesi i konsultimit është një moment shumë intim, i zgjatur dhe i përsëritur. Ja pse terapisti duhet të ketë cilësitë që përshkrova më sipër.
Libri tuaj, “Seksi dhe Seksualiteti” është bërë një “bestseller shqiptar”. Si iu bën kjo të ndjeheni për punën që keni bërë?
Sigurisht që ndjehem mirë. Është libri im i parë në fushën e seksit dhe që më mori shumë vite pune. Shkrimi i një libri ngjan me një eksperiment. Eksperimentuesi ka parashikuar përfundimin, por mund të mos i dalë ashtu si e pati parashikuar. Eksperimenti im duket doli i suksesshëm, kjo më gëzon.
Si burrë, intelektual dhe specialist, a u kanë kritikuar për punën që bëni në fushën e edukimit seksual, veçanërisht, me gratë?
Ka patur kërcënime dhe përpjekje për t’i denigruar emisionet televizive. Më janë drejtuar edhe pyetje provokative, por unë të gjitha këto i kam kapërcyer qetësisht, i bindur në dobinë e punës që bëj. Sot, konstatoj me kënaqësi, se sjelljet jo korrekte të atyre që mësimet e mia u kishin prishur “qetësinë”, janë pakësuar shumë dhe nuk përbëjnë një problem.
Në të gjitha shkrimet dhe bisedat e mia kam insistuar për barazinë midis partnerëve në marrëdhëniet seksuale. Askush nuk duhet ta ndjejë vetën superior ose zotërues. Marrëdhëniet seksuale, të çfarëdo lloji qofshin, ato duhet të jenë me mirëkuptimin e dy partnerëve. Kjo do të thotë që dy njerëz mund të bëjnë gjithçka që të kënaqin njëri-tjetrin seksualisht, por kjo duhet të ketë aprovimin e dy partnerëve. Veprimet seksuale të detyruara, pa aprovimin e partneres, janë përdhunim. Ato janë përdhunim edhe kur ndodhin midis dy të martuarve. Të gjithë duhet ta dinë se përdhunimi seksual është krim dhe dënohet me ligj. Mendoj se puna që kam bërë ka patur rezultate. Është rritur lirshmëria dhe liria e njerëzve për të pyetur lidhur me problemet e tyre seksuale. Me rëndësi është të theksoj se është rritur, në mënyrë të pabesueshme, interesimi i grave dhe vajzave për probleme të jetës së tyre seksuale. Kjo duket nga numri i madh i pyetjeve që vajzat dhe gratë drejtojnë në emisionet televizive dhe në blogun tim në internet.
Shumë meshkuj që identifikohen si heteroseksualë janë shumë hezitues për t’u angazhuar “në masazhin e prostatës”, ose në forma të tjera, sepse i konsiderojnë këto veprime si praktika homoseksuale. Pse ndodh kjo? A mendoni se ata po humbasin diçka pozitive?
Prostata tek meshkujt është një organ i ndjeshëm seksualisht. Shumë burra e dëshirojnë, madje, e kërkojnë masazhin e prostatës për të arritur kënaqësinë seksuale. Por kjo nuk ndodh me të gjithë meshkujt. Njerëzit bëjnë seksualisht atë që u pëlqen të bëjnë. Po qe se dikujt për arsye të tij nuk i pëlqen masazhi i prostatës, askush nuk e detyron ta bëjë, ashtu sikundër ai nuk ka të drejtë të detyrojë një partnere seksuale t’i bëjë masazh të prostatës, kur ajo nuk dëshiron, ose ka neveri prej këtij veprimi. Për çdo veprim, ashtu siç e thashë më sipër, duhet konsensus.
Çfarë mund t’i thoni dikujt që është duke luftuar me identitetin e tij gjinor dhe orientimin seksual?
Orientimi seksual është çështje e personit. Po qe se dikush ndjehet me orientim homoseksual, biseksual, ose heteroseksual, është e drejta e tij të praktikojë atë lloj marrëdhënieje seksuale që i pëlqen. Të përçmohen, të denigrohen, të izolohen dhe të sulmohen njerëz për arsye të orientimit të tyre seksual, nuk është e drejtë. Kjo është homofobia dhe homofobia duhet të ndëshkohet. Lidhur me identitetin gjinor duhet të themi se ka një kategori njerëzish që i përkasin asaj që quhen transgjenitalë. Këta janë njerëz që anatomikisht i takojnë një seksi të caktuar, por që brenda këtij trupi anatomik, është burgosur një person i gjinisë tjetër. Një mashkull transseksual është ai që anatomikisht është komplet një djalë por që veten e ndjen se është një vajzë. Ai bën çdo përpjekje për të ndryshuar trupin e tij, nga trup djali në trup vajze. Kur nuk ka mundësi ta bëjë këtë, ai ndonjëherë dëmton, mutilon, shkatërron organin e tij seksual. Kur ka mundësi ta bëjë këtë ndryshim ai merr hormone femërore për një kohë të gjatë, që të modifikojë trupin e tij dhe pastaj kryen disa ndërhyrje kirurgjikale për të modifikuar organet e tij të jashtme gjenitale. Ai heq penisin dhe ndërton një vulvë e vaginë femërore. Këto ndryshime kushtojnë shumë dhe jo gjithmonë janë të suksesshme. Po kështu vepron edhe një femër transseksuale për të ndryshuar trupin e saj që të duket si një mashkull, ashtu si ajo e ndjen veten e saj.
Çfarë këshille do t’u ofronit prindërve lidhur me edukimin seksual të fëmijëve të tyre? Çfarë mendimi keni për edukimin seksual në shkollë?
Edukimi seksual i fëmijëve duhet të fillojë që kur fëmija lind. Sigurisht, edukimi duhet t’i përshtatet moshës së fëmijës. Një bebe duhet të mësojë emrat korrekte të organeve të tij gjenitale. Duke u rritur ai do mësojë gjëra të tjera. Prindi duhet t’u përgjigjet drejt pyetjeve që bën fëmija. Nuk duhet prindi t’u thotë fëmijëve se keni lindur nga sqetulla ose nga kërthiza. Para pubertetit vajzat duhet të mësojnë për ciklin e tyre menstrual. Ato nuk duhet të tmerrohen nga menstruacionet e para, sepse nuk dinë asgjë për to. Adoleshenca ka pyetjet e saj dhe adoleshentët duhet t’i njohin e të dinë t’i zgjidhin problemet e tyre. Për këto probleme në vitin 2004 botova librin “Fëmijët duan të dinë për seksin” ku u jepet përgjigje pyetjeve që fëmijët e moshave të ndryshme bëjnë. Libri vlen për prindërit, mësuesit dhe vetë fëmijët e të rinjtë që dinë të lexojnë.
Lidhur me edukimin seksual në shkolla mendimet e specialistëve janë të ndryshme. Disa mendojnë se edukimi seksual është çështje e familjes dhe shkolla nuk duhet të merret me këtë lloj edukimi. Të tjerë thonë se shkolla duhet të bëjë edukim seksual. Mendimet lidhur me edukimin seksual në shkollë ndahen. Disa mendojnë se qëllimi i edukimit seksual në shkollë duhet të jetë abstinenca. Abstinencia do të thotë të refuzohen në mënyrë të ndërgjegjshme marrëdhëniet seksuale deri në martesë. Për të arritur këtë, nxënësit duhet të mësojmë rreziqet që ka jeta seksuale. Duke theksuar rreziqet e seksit, fëmijët do të frikësohen nga këto marrëdhënie. Kështu fëmijët do të shkojnë të virgjër në shtratin martesor. Madje, sipas kësaj pikëpamjeje, edhe të rinjtë që kanë filluar të kryejnë marrëdhënie seksuale, duhet të heqin dorë prej tyre, pra abstinence seksuale sekondare deri në martesë. Ky lloj edukimi përkrahet nga feja, nga mësuesit dhe nga prindërit, por këtë nuk e besojnë dhe nuk e pranojnë të rinjtë.
Të tjerë insistojnë që fëmijëve t’u mësohet gjithçka për seksin, në vartësi të moshës së tyre. Sipas kësaj pikëpamje fëmijët duhet të dinë gjithçka për seksin dhe për mënyrat si të mbrohen nga rreziqet e jetës seksuale. Ky lloj edukimi insiston t’u mësojë fëmijëve si të bëjnë seks të sigurtë, ndërkohë, që ata të gëzojnë shoqërinë seksuale me shokët dhe shoqet e tyre. Eksperienca dhe statistikat tregojnë, se edukimi i fëmijëve vetëm me abstinencën nuk është efektiv. Pasojat negative të seksit i vuajnë më shumë fëmijët që janë mësuar vetëm me abstinencën. Tek këta fëmijë takohen më shumë sëmundje infektive seksuale, më shumë aborte dhe më shumë lëndime psiko-emocionale. Edukimi seksual instruktiv, që u mëson fëmijve gjithçka për seksin, ka rezultuar më efektiv. Ai nuk rrit interesin e fëmijëve për seksin, siç mendojnë kundërshtarët e tij, por rrit ndërgjegjësimin e fëmijëve për jetën seksuale, duke i bërë ata më të kujdesshëm dhe më të sigurtë. Për fat të keq, edukimi seksual në shkollat tona nuk bëhet si duhet dhe ai nuk i ndihmon e nuk i përgatit nxënësit për jetën që kanë përpara.
Cila është mënyra më e lehtë për një seks të sigurtë dhe të kënaqshëm?
Fare shkurt: Seks të sigurtë nuk ka. E sigurtë është të mos bësh seks, gjë që është e pamundur për të rinjtë. Kjo është arsyeja që unë flas për seks më të sigurtë. Dhe…seksi më i sigurtë është përdorimi i prezervativit prej djalit dhe përdorimi i një metode antikonceptive prej vajzës. Këshillohet që vajza të zgjedhë një nga tipat e kontracepsionit barrierë dhe jo pilulat hormonale.
Mesazhi që Dr. Harxhi dëshiron të përcjellë për të patur një lidhje bashkëshortore të qëndrueshme, që do të thotë familje e shëndetshme?
Ka shumë gjëra që burri dhe gruaja duhet të bëjnë, për ta mbajtur zjarrin të ndezur në vatrën e tyre familjare. Në përgjigje të pyetjes tuaj dëshiroj t’u dërgoj të gjitha çifteve këtë mesazh: Në doni jetë familjare të mirë, ju duhet të bëni jetë seksuale të mirë. Për të bërë jetë seksuale të mirë ju duhet të silleni mirë me njeri tjetrin.
Kjo do të thotë:
-Që sapo të jetë ngritur nga tavolina e bukës, burri t’i thotë gruas: “ Ulu e dashur dhe më trego si ia kalove sot, ndërkohë unë po merrem me enët”
- Që sapo të jetë ngritur në mëngjes burri t’i thotë gruas: Më pëlqen mënyra si dukesh me sy të përgjumur e të ënjtur në mëngjes”
-Që kur të ktheheni nga puna në shtëpi, pa ndonjë arsye të veçantë, t’i sillni shokut ose shoqes diçka që ai ose ajo e preferon.
Ju duhet të dini se gratë janë ndryshe nga burrat: Për burrat seksi nuk është shumë kompleks. Për gratë ai është një labirint. Çdo gjë që bëjnë burrat kur janë jashtë dhomës së gjumit, ndikon shumë në atë që do t’u lejohet të bëjnë kur të jenë brenda saj. Të gjitha studimet shkencore, lidhur me ndryshimet midis burrave dhe grave në fushën seksuale kanë vërtetuar se orgasmat tek burrat përqendrohen midis kofshëve, ndërsa tek gratë janë midis veshëve. Burrat që dinë ta gjejnë këtë pikë në trurin e grave, shpërblehen me marrëdhënie të kënaqshme e mirëkuptuese. Për burrat seksi nuk ka nevojë të lidhet me shumë gjëra. Atyre nuk u duhen tavolina me pjata të zbukuruara, as qirinj aromatikë që t’i sjellin në formë, për ata mjafton një copë bukë me pak djathë por në kohën e duhur. Për gratë puna ndryshon. Seksi për to është një qylym i thurur prej një game të gjerë marrëdhëniesh shumëngjyrëshe dhe ngjyra që ato dëshirojnë të shquajë më shumë se të tjerat në këtë qylim shumëngjyrësh, është ngjyra e marrëdhënies seksuale. Seksi hap zëmrën e burrit, ndërkohë që zëmra e gruas duhet të jetë e hapur që ajo ta gëzojë seksin. Vetëm pasi ndjen se është e dashuruar, gruaja e dëshiron seksin. Është fakt i njohur që gruaja përpara se të dëshirojë seks me një burrë, dëshiron të ndjehet mirë në marrëdhënien e saj me të. Ajo ka nevojë të ndjejë se është e lidhur emocionalisht, përpara se të dëshirojë të lidhet fizikisht. Sa më e lidhur emocionalisht, aq më e çliruar do të jetë ajo në dhomën e gjumit. Dhe sa më e çliruar të jetë, aq më e madhe do të jetë kënaqësia e të dyve. “Intimiteti sjell seksualitetin”. Seksi në martesë është seksi që sjell kënaqësinë më të madhe. Njerëzit që kënaqen më shumë fizikisht dhe emocionalisht prej seksit, janë të martuarit dhe ata që kanë marrëdhënie për kohë të gjatë. Mos harroni ” Sa më i gjatë partneriteti dhe sa më shumë përkushtim të ketë midis partnerëve , aq më i madh është shpërblimi.” Kjo ndodh nga që partnerët kanë mësuar çfarë e kënaq shokun, çfarë e bën atë të lumtur, çfarë e shqetëson dhe çfarë e egërson atë. Ka shumë rëndësi që dy njerëz në një marrëdhënie intime të dinë se çfarë ka sukses dhe çfarë nuk ka sukses nga pikëpamja seksuale. Që të thellojnë dhe të forcojnë marrëdhëniet seksuale dhe të gjejnë kënaqësinë e dëshiruar, burrat është mirë të jenë:
1-Romantikë-Kjo nuk do të thotë që ata të jenë një “Romeo” që vazhdimisht shkonte tek “Zhuljeta” me trandafila, me çokollata dhe poezi rinore. Këto gjëra janë të mira për aq sa shkojnë dhe këtu nuk e kemi fjalën për këto. Ideja këtu është për një sjellje të zakonshme, të përditshme, që ndihmon jetën e përbashkët, duke qënë vazhdimisht miq.
2-Ta njohin mirë partneren. Le të provojë një grua ta pyesë burrin: cila është ngjyra ime e preferuar? Burri do të mbetet si guak. Edhe po t’i bëjë disa pyetje të tjera ai përsëri nuk do t’i dijë. Por po të pyesë burri gruan për të njëjtat pyetje, ajo jo vetëm do t’u përgjigjej, por do të tregonte se si këto gjëra kanë ndryshuar në vite.
Në një studim, 61 përqind e grave thanë se më shumë u pëlqente ta shihnin burrin të lante enët, sesa të kërcente lakuriq. Kur një burrë lan enët e bën gruan të ndjehet e dashuruar dhe kur ajo ndjehet e dashuruar, natyralisht, fillon të ndjehet edhe e eksituar seksualisht
Ka mijëra veprime të thjeshta me të cilat burrat mund të shprehin dashurinë dhe kujdesin. Le të lajnë teshat. T’u bëjnë banjë fëmijëve. Të pastrojnë tualetin. Të lajnë dyshemenë. Të bëjnë pazarin. Të zbrazin plehrat. Kur fëmija qan natën dhe kërkon nënën, ai duhet të ngrihet menjëherë. Në se macia ndoti në qylym, të mos rrijë në vënd dhe të thërrasë gruan ta pastrojë. Romancë është çdo gjë që e bën gruan të ndjejë se ajo nuk është e vetme, por edhe dikush tjetër është atje për atë. Çdo gjë të vogël që burrat bëjnë për gratë e tyre tregon se ata kujdesen dhe kjo krijon romancën. Kur gruaja ndjen dhe shikon se burri di çfarë do ajo dhe ai e ndihmon e i përgjigjet nevojave të saj, kjo në të vërtetë është paralojë seksuale
Kujtoni për një moment imazhet me të cilat media bombardon çdo ditë…. gjithë ditën. Imazhet e grave janë tipike: të reja, rreth 19 vjeçare. Ato gjithmonë janë të mrekullueshme, sipas nocionit më të fundit për mrekullinë femërore. Ato janë gjithmonë të holla dhe seksi. Tani…. të çmendura për të patur gjinj të mëdhenj dhe kofshë të gjata e të holla. Ato kanë minifunde e plot çarje në teshat e tyre, që të duket sa më shumë mish.
Shumica e grave në reklamat dhe njoftimet e medias nuk janë si gratë në jetën reale. Shumica e grave as nuk u afrohen atyre. Është kjo arsyeja pse gratë, që nga koha kur ishin shumë të vogla, ndjehen se janë larg këtyre standardeve. Ato ndjehen shumë të pasigurta, prandaj e duan fjalën e mirë të burrave. Ja pse burrat mund të bëjnë një ndryshim të madh në marrëdhëniet e tyre, po qe se gjejnë kohën t’u thonë grave se sa shumë ato vlejnë për ta. Në qoftë se burrat e kuptojnë presionin e madh që ndjejnë gratë, nga që nuk janë njësoj me imazhin e 19 vjeçareve në kapakët e revistave, ata mund të bëjnë shumë. Mjafton të thonë: “Ti e di se sa i kënaqur jam që të njoha ty”. “Ti je e mrekullueshme”. “Kam harruar të të them se sa me rëndësi ti je për mua”. Kur burrat u bëjnë grave komplimenta të tilla, pa theksuar anën fizike të trupit të tyre, ata i hapin vetes rrugën për t’u futur pafundësisht në zëmër të grave.
A e keni vënë re një çift të saponjohur në një restorant? Ajo “grin” gjithë kohën, ndërsa partneri i saj vetëm kullufit makaronat. Burrat sillen kështu dhe ata janë të tillë, sepse nuk e dinë që zona më erogene e gruas është veshi i burrit.
Gratë duan që burri t’i dëgjojë. Nuk ka rëndësi se për çfarë flet. Ajo mund të flasë për uljen e çmimit të këpucëve tek QTU. Rëndësi ka që ai ta shikojë në sy dhe t’i kushtojë gjithë vëmendjen, ndërkohë që ajo flet.
Burra, ju duhet të dini se ka një industri billiona dollarësh për terapi. Pacientët që shkojnë në këto zyra të terapistëve janë 90 përqind gra. E dini pse ndodh kështu? Sepse gratë paguajnë që dikush t’i dëgjojë për ato që ato ndjejnë. Kjo do të thotë se gratë kërkojnë një burrë të vëmendshëm që të ketë kohë t’i dëgjojë. Ai mund të lajë të gjitha pjatat çdo ditë, por në qoftë se nuk e dëgjon atë me vëmendje, ai vetëm humbet kohën e tij.
Dr. Frojdi, dikur, tha këto fjalë të famshme: ”Pyetja më e madhe që unë nuk isha i zoti t’i përgjigjesha, pavarësisht 30 vjet kërkime nëpër shpirtin femëror, është: çfarë duan gratë?”
Do të ishte ideale sikur çdo burrë pyetjen e Dr. Frojdit “çfarë duan gratë?” ta bënte “Çfarë do gruaja ime?” Dhe të përpiqej të plotësonte kërkesat e saj.
Mësuam se së fundi keni hedhur në treg librin “Në Sinkron me Natyrën”. Për çfarë bëhet fjalë në këtë libër?
Gratë e sotme të moshës 45-60 vjeç, goditen nga kanceri i gjirit dhe kanceri i organeve të tjera gjenitale, shumë më shpesh nga gratë e gjeneratave të kaluara. Shikoni këto statistika: Në gjyshet e grave të sotme kanceri godiste njërën në 29 prej tyre. Në nënat e tyre kanceri godiste njërën në 8 prej tyre. Ndërsa gratë e sotme kanceri godit njerën në cdo pesë gra. Kjo statistikë shqetësuese, bën të lindin këto pyetje: Sa shpesh do t’i godisë vajzat e grave të sotme kanceri? A do të kenë nipër e mbesa, gratë e sotme të moshës së mesme? Në qofte se do të kenë nipër e mbesa, a do t’i lërë kanceri t’i shohin ata? Si përpjekje për t’u dhënë përgjigje këtyre pyetjeve, e shkrova këtë libër. Në të është sintetizuar mendimi shkencor i shumë grave shkencëtare, akademike, aktiviste të shquara të lëvizjeve feministe dhe të revolucionit seksual, të cilat jo vetëm e njohin problemin shumë mirë nga pikëpamja shkencore, por si gra, e kanë përjetuar personalisht. Gratë e sotme e kanë shtyrë shumë lindjen e fëmijëve, ose nuk lindin fare . Edhe kur lindin fëmijë, ato nuk i ushqejnë me gji, por me shishe. Këto janë arsye të mjaftueshme për t’u sëmurë me kancer, sepse ato jetojnë ndesh me natyrën e tyre biologjike. Ato jetojnë kundër natyrës dhe natyra hakmerret ashpër. U merr jetën. Libri është i vogël, rreth 100 faqe, por sjell një mesazh të madh. Mesazhi që sjell libri nuk do të ndryshojë dot mënyrën si sillen gratë sot, por si mjek këtë të vërtetë duhet t’u a tregoja grave. Duhej t’u thoshja se feministët, mjekët dhe kompanitë farmaceutike i kanë gënjyer dhe i kanë nxitur ta jetojnë jetën në kundërshtim me biologjinë e tyre.
 Fund

Tetova News

Popular posts from this blog

Seksi: Kohëzgjatja ideale, 13 minuta

Mëngjesi pas herës së parë

Lidhjet në largësi: anët pozitive dhe negative