Dashuria dhe seksi

Vështirësia për t’i bërë të
bashkëjetojnë dy gjuhë

Për disa seksualiteti është i domosdoshëm, disa bëjnë pa të për periudha të gjata, disa të tjerë kanë
zgjedhur të heqin dorë nga seksi. Edhe dashuria e madhe mund të jetë më pak ose më shumë erotike. Për disa, erotizmi është i domosdoshëm, trupat e tyre kërkojnë njëri-tjetrin si të ishin të uritur. Për disa të tjerë, dashuria është mbi të gjitha intimitet shpirtëror, bashkëjetesë e përditshme, kujdes reciprok.
Secili nga ne lidhet në brendinë e njërës nga këto skema mendore e fizike dhe, nëse është ajo e përshtatshmja,
ndihet mirë dhe i kompletuar. Mendoj se është e nevojshme të përsërisim këto gjëra, ngase sot seksologët mundohen të imponojnë një model të vetëm për të gjithë, e nuk u bie ndërmend se në këtë mënyrë ushtrojnë një dhunë të vërtetë. Diversiteti i madh në raportin mes seksualitetit dhe dashurisë në Perëndim ka në themelin e vet një çarje humnerore që ka origjinën të paktën dymijë vite më parë. Gjuha e dashurisë, nga poezitë e Dantes, Petrarkës, Nerudës, nga ‘Roman de la Rose’, ‘Ana Karenina’ e deri te ‘Love Story’, ka në qendër të saj mungesën, humbjen, spazmën e pritjes dhe prore është ushqyer nga vuajtja dhe heqja. Kur shfaqet seksi, kënaqësia fizike, kënaqja e trupave, atëherë dashuria tërhiqet, fishket. Në Perëndim nuk dimë ta përdorim gjuhën erotike në dashuri. Gjuha erotike përdoret sall në tri raste. I pari është ai i shakasë, batutës si në ‘Seks and the City’, apo në diskurset e Littizzetto-s. Rasti i dytë është ai i përçmimit dhe dhunës si në librin ‘Derra me krahë’, apo
në veprat e Marchese de Sade. I treti është pornografi e pastër. Në të gjitha rastet, diskursi erotik përfundon gjithmonë përtej dashurisë, pasionit. Konkludojmë: në dymijë vjet të historisë, seksi dhe dashuria kanë qenë të ndara dhe ende nuk ekziston një gjuhë e shkruar për të rrëfyer një dashuri erotike totale të madhe
të sinqertë. Në librin ‘Seksi dhe dashuria’ i kam studiuar të gjitha kalimet mes seksualitetit pornografik dhe të
dhunshëm duke shkuar tek ato personale, pastaj te të qenit i dashuruar, deri te dashuria e konsoliduar dhe
e lumtur. Dhe i kam rënë në të se s’ka një vend të vetëm ku dashuria dhe seksi, emocioni dhe kënaqja
bashkohen dhe bashkëjetojnë. Për këtë kam shkruar me qëllim dialogë të të dashuruarve në një kohë, të
dashur me plot pasion dhe intensivisht erotik. Ndoshta unë s’e kam arritur qëllimin, por jam i bindur se
bëhet fjalë për një cak që duhet ta arrijmë në të ardhmen, ose do të jemi përgjithmonë emocionalisht
skizofrenikë dhe s’duhet të habitemi nëse dashuritë dhe martesat zgjasin pak.

(Francesco Alberoni
Corriere della Sera)

Editor

Faqe e lajmeve të përzgjedhura nga të gjitha sferat e jetës.Na shkruani në shkupipress@gmail.com.

 

© 2013 Intime. All rights resevered. Designed by Templateism

Back To Top