Femrat dhe vizitat gjinekologjike

Kontrolli i parë gjinekologjik duhet të koincidojë me marrëdhënien e parë seksuale, por, në fakt, shumë femra preferojnë ta shtyjnë këtë vizitë. Ato nuk e dinë se një kontroll periodik është shumë i rëndësishëm për të monitoruar gjendjen shëndetësore. Ja



Çfarë duhet të dinë dhe si ta mbrojnë shëndetin

Ka nga ato femra që preferojnë ta shtyjnë pafundësisht vizitën, por në fakt një kontroll i imtësishëm te gjinekologu pas marrëdhënies së parë seksuale është i nevojshëm të paktën një herë në vit. Të zgjidhësh doktorin e duhur nuk është e vështirë. Nëse nuk keni shqetësime të veçanta, mund të pyesni ndonjë mikeshë më të rritur se ju, e cila ka më tepër përvojë dhe të kuptoni nëse karakteristikat mund të jenë të kënaqshme. Nëse keni probleme specifike është më mirë të informoheni se cili është specialisti më i mirë. Por cilat janë kriteret që një vizitë gjinekologjike të jetë e dobishme? Pyetjes i është përgjigjur një profesoreshë amerikane gjinekologjie dhe seksologjie, e cila është drejtoreshë në një maternitet amerikan.
Profesoreshë, sa e rëndësishme është vizita gjinekologjike?
Shumë. Një grua duhet të jetë tepër e kujdesshme me trupin e saj. Është mirë që kontrolli të fillojë pasi një vajzë vendos të ketë marrëdhënie intime me një djalë. Pra pas raportit të parë seksual, në mënyrë që të parandalohet çdo lloj shqetësimi i mëvonshëm. Nëse një vajzë është 25 vjeçe dhe nuk ka kryer ende marrëdhënie seksuale, duhet të bëjë një kontroll të paktën një herë në vit. Kontrolli mund të jetë i përvitshëm, ose një herë në dy vjet, me një pap-test, vetëm nëse nuk keni probleme të veçanta të cilat kërkojnë monitorime të vazhdueshme. Veç të tjerash vizita gjinekologjike tregon se një femër ka një edukim të mirë seksual dhe mund të diagnostikojë në kohë sëmundjet seksualisht të transmetueshme.
Çfarë është një vizitë e mirë?
Gjinekologu duhet të ngrihet, të shkojë ta takojë pacienten, t‘i japë dorën dhe të prezantohet me një buzëqeshje, duke e parë në sy. Para së gjithash, pacientja është njeri dhe marrëdhënia profesionale vendoset mes dy qenieve njerëzore. Për fat të keq, kujdesi, që shumë mjekë e kanë në klinikën private, humbet krejtësisht nëpër spitale ose konsultoret publike: doktori nuk ngrihet në këmbë, as që i ngre sytë për të parë pacienten, nuk prezantohet dhe nuk buzëqesh. Pacientja, sidomos nëse është e re, nuk duhet të ndihet një e sëmurë, por një person që ka një shqetësim. Gjithsesi do të ishte e gabuar që t‘i përgjithësonim të gjithë doktorët, sepse ka edhe nga ata që i zbatojnë rregullat e mirësjelljes. Fundja kjo është një garanci e kualitetit.
Çfarë pyetjesh duhet të presim nga një gjinekolog?
Pasi ju ka pyetur për arsyen e vërtetë të vizitës, pra nëse bëhet fjalë për një kontroll të thjeshtë rutinë, ose më të imtësishëm për të zbuluar ndonjë patologji specifike, duhet të përqendrohet te katër format e anamnezës: familjare (tumoret, menopauza e parakohshme, çrregullime menstruale të pranishme në familje), patologjike (sëmundje që keni pasur në të kaluarën), fiziologjike (të shfaqura me ardhjen për herë të parë të menstruacioneve, ritmi, karakteristika të rrjedhjes së gjakut, aspekte të jetës seksuale dhe gjinekologjike) si dhe patologji të tjera (për sa i përket shqetësimeve që pacientja dëshiron të konsultohet). Gjithashtu është e rëndësishme të sqarohet nëse keni bërë analiza të tjera gjatë kohëve të fundit: data e pap-testit të fundit, data e analizave të fundit të gjakut ose të kontrolleve të tjera të rëndësishme. Pikërisht për këtë, është mirë që t‘i mbani gjithmonë me vete të gjitha analizat.
Çfarë duhet mbajtur në çantë?
Një kartelë në të cilën janë pasqyruar të gjitha sëmundjet familjare dhe personale, simptomat kryesore dhe zhvillimi i sëmundjes, në qoftë se ka një sëmundje në vazhdim, analizat, nëse i keni bërë, të renditura sipas llojit dhe datave, e të nënvijëzuara poshtë. Këtë dosje duhet ta keni me vete para se të shkoni te gjinekologu.
Cila është vizita e përsosur?
Një gjinekolog i mirë duhet ta fillojë nga lart vizitën. Kjo është një shenjë tjetër e përkujdesjes dhe respektit, sepse gjërat vijnë gradualisht, duke e larguar sikletin e madh që të shkakton një vizitë gjinekologjike.
Doktori çfarë duhet të vizitojë?
Tiroidet, sidomos nëse gjëndrat duken të zmadhuara edhe me sy të lirë, pastaj gjoksin dhe sqetullat për të parë nëse ka ndonjë gjëndër limfatike. Më tej barkun dhe zorrën e trashë, pasi kjo e fundit tregon shumë për gjendjen e tensionit të gruas. Vetëm pas këtij kontrolli të përgjithshëm, bëhet vizita gjinekologjike. Mjeku duhet t‘i kushtojë më shumë vëmendje pjesës së jashtme të organit gjenital, nëse është i ënjtur, i skuqur, distrofik, me kondiloma ose patologji të tjera. Gjithashtu gjinekologu duhet të kontrollojë me shumë kujdes edhe gjendjen e muskujve prevaginalë, nëse janë hipertonikë, që dhembin, shpesh shoqërohen me dhembje gjatë marrëdhënies, ose hipotonikë, që janë të sforcuar vazhdimisht dhe për këtë arsye ka më pak ndjeshmëri vaginale gjatë marrëdhënies seksuale. Nëse gruaja ndjen siklet dhe ka djegie gjatë marrëdhënies, duhet t‘i drejtohet mjekut për të diagnostikuar "hartën e dhembjes", duke marrë parasysh të gjitha pikat ku ajo ndjen dhembje (te pjesa e jashtme e organit gjenital, në mes ose në thellësi të vaginës). Në fund duhen kontrolluar qafa e mitrës dhe vezoret, për ndonjë fibromë.
Po në rast shtatzënie, çfarë ndryshon?
Disa analiza më shumë plotësojnë monitorimin, si për shembull kontrolli i zemrës së fetusit dhe pH (pehashit). Gjithashtu duhet parë shtimi në peshë për një muaj, duhen bërë analizat e gjakut çdo tre muaj dhe ekografitë obstetrike. Shumë gjinekologë bëjnë vetëm ekografi, gjë që nuk mund ta zëvendësojë kurrë vizitën gjinekologjike.

Editor

Faqe e lajmeve të përzgjedhura nga të gjitha sferat e jetës.Na shkruani në shkupipress@gmail.com.

 

© 2013 Intime. All rights resevered. Designed by Templateism

Back To Top